Kosova feston Krishtlindjen, Ipeshkvi Gjergji: Kohë shprese dhe gëzimi

PRISHTINË, 25 Dhjetor /ATSH/- Besimtarët e krishterë festuan sot në Kosovë Krishtlindjen.

Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt në mesnatë në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar vitin e kaluar në 5 shtator, në njëvjetorin e shenjtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

Ipeshkvi Gjergji, tha se pas një viti kremtimesh intensive, në kuadër të Vitit të Gjergji Kastriotit, po vinte edhe një herë me porosinë e përvitshme për festën e Krishtlindjes, në këtë kohë shprese dhe gëzimi.

“Dëshiroj që në këto ditë Krishtlindjesh të ftoj  popullin tim shqiptar, kudo që jeton, të jetë i vetëdijshëm se udhëtimi shekullor i popullit tonë drejtë kthimit në familjen e popujve të qytetëruar ka qenë tejet i vështirë. Kjo që gëzojmë sot, është arritur me mund, djersë e gjak të shumë gjeneratave”, tha ai.

Këndej, vijoi Ipeshkvi, duhet të kihet kujdes që as një dështim i yni ose padrejtësi që na bëhet, të mos e rrezikojë bashkë udhëtimin tonë drejt së ardhmes me popujt e Evropës dhe Rajonit, sepse e dimë mirë  se si kemi pësuar kur kemi gabuar.

“Ftoj edhe popujt e Evropës, sido që janë të organizuar në institucionet shoqërore, politike dhe ekonomike, që të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besim te ne shpatarët”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Gjergji.

Edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, mes të cilëve ambasadori i SHBA-ve Philip Kossnet, si dhe ushtarë amerikanë të KFOR-it, morën pjesë në meshën e Krishtlindjes katolike në Katedralen përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Programi kremtimit të Krishtlindjes 2018 në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi, ku morën pjesë e uruan edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, duke u shprehur se Krishtlindjet janë festë e jetës, paqes dhe dashurisë mes njerëzve dhe se tek shqiptarët ndër shekuj është kultivuar tradita dhe harmonia fetare si vlerë humane dhe civilizuese. 

Ipeshkvi Gjergji bëri thirrje për dialog, paqe dhe dashuri në mes të njerëzve, ndërsa theksoi se sot festojnë të gjithë si miq dhe si besimtarë, duke përçuar mesazhin e dashurisë dhe paqes te të gjithë njerëzit në Kosovë. 

Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt  Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00 mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, do të kremtoj meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Në Kosovë, mesha mbahen edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 20-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik./b.j/k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.