Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes në të gjitha mensat sociale

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/- Të gjitha mensat sociale të Bashkisë së Tiranës, me rastin e Krishtlindjes, kanë ofruar gjatë ditës së sotme vakte të ngrohta për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata në pamundësi ekonomike, për t’u krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë.

Bashkia e Tiranës zgjodhi që këtë ditë feste për besimtarët e krishterë ta kalojë pranë njerëzve në nevojë dhe në pamundësi ekonomike.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i pranishëm në mensën sociale “Gonxhe Bojaxhi” te Bregu i Lumit, ku së bashku me përfaqësues të tjerë të Bashkisë së Tiranës i shërbyen ushqimin të pranishmëve, duke u uruar edhe “Gëzuar Krishtlindjen”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se “të gjithë atyre nga qendra sociale “Nënë Tereza” që janë të besimit të krishterë, iu urojmë “Gëzuar Krishtlindjen” sepse mbi të gjitha është festa juaj, qofshi gjithmonë të lumtur dhe paçi vetëm të mira e gëzime në familjet tuaja, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se në këtë muaj festash Tirana ka treguar edhe një herë se di të jetë një qytet solidar me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe dorën e shtetit apo të shoqërisë.

“Jam shumë mirënjohës që Tirana ka pasur muajin rekord të solidaritet. Në çdo fshat, edhe në periferitë më të largëta të Tiranës, në çdo shkollë, të gjithë njerëzit në nevojë dhe me ndihmë ekonomike, të gjitha qendrat sociale, nga Instituti i Fëmijëve që nuk shikojnë te Instituti i Fëmijëve që nuk dëgjojnë, Instituti i personave me aftësi të kufizuar, Shtëpia e Fëmijës ku ishim sot në mëngjes, në të gjithë Tiranën, ka patur një valë të jashtëzakonshme solidariteti, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi që ky muaj rekord i solidaritetit të mund të përsëritet në çdo muaj të vitit, pasi kështu qyteti do jetë akoma më i mirë. “Nëse ky dhjetor ishte një rekord ku njerëzit dhuruan lodra, rroba, ushqime, dhe e gjithë Tirana festoi gjatë gjithë muajit, unë besoj se mund t’i kemi të gjithë muajt kështu, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj ftoi gjithashtu të gjithë personat që frekuentojnë mensat sociale, por edhe gjithë qytetarët e Tiranës, që t’i bashkohen festimeve që ka organizuar Bashkia e Tiranës me rastin e ndërrimit të viteve. “Bashkia e Tiranës është përgatitur që edhe festa e Vitit të Ri të kalojë sa më mirë. Do të thotë se nuk do të lejojmë më fishekzjarre të hidhen pa kontroll. Vitin e Ri do ta presim në sheshin “Skënderbej”, do të numërojmë bashkë dhe do të kemi një spektakël me fishekzjarre e muzikë, për t’u siguruar që do të kemi një tjetër vit të suksesshëm për Tiranën, siç ishte viti 2018 që po lëmë pas”, tha Veliaj. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.