SHBA – Trump përshpejton largimin e gjeneralit Mattis nga Pentagoni

UASHINGTON, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot zëvendësimin në mënyrë të përkohshme të sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis që nga 1 janari nga zëvendësi i tij Patrick Shanahan, duke përshpejtuar në këtë mënyrë largimin e këtij gjenerali të respektuar me të cilin kishte qëndrime mjaft të ndryshme, kryesisht për tërheqjen nga Siria.

Jim Mattis, 68 vjeç njoftoi se do të largohej në fund të shkurtit për të mundësuar një kalim të lehtë të kompetencave me pasardhësin e tij, por Donald Trump, i cili priti keq mbulimin mediatik të letrës së dorëheqjes së gjeneralit, shumë kritik kundrejt tij, përshpejtoi largimin e tij.

”Kam kënaqësinë të njoftoj se zëvendëssekretari ynë i talentuar i Mbrojtjes, Patrick Shanahan do të mbajë titullin e sekretarit të përkohshëm të  Mbrojtjes duke nisur nga 1 janari 2019’’, thuhej në një postim në Twitter.

”Patrick ka një listë të gjatë me arritje si zëvendës dhe më parë te ‘Boeing’.  Ai do të jetë fantastik!’’, shton Trump.

Paraprakisht, Trump përshëndeti punën e Jim Mattis në një postim në Twitter ku njoftoi largimin e tij, duke pohuar se po tërhiqej nga posti me nder dhe se gjatë kësaj periudhe Jim kishte shënuar progrese të mëdha./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.