Rama: Do t’i përgjigjemi me dinjitet përtej shqetësimeve të studentëve

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Protesta ka dinamikën dhe trajektoren e vet, ndërsa reflektimi ynë është i domosdoshëm dhe do të vazhdojë dhe thellohet në funksion jo vetëm të studentëve, por edhe me ambiciet e shqetësimet e qytetarëve”.

Kështu deklaroi sot për mediet Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, ku u diskutua për protestën e studentëve.

“Kemi pasur një diskutim të gjatë dhe të dobishëm në kuadrin e një procesi reflektimi, që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve, por është edhe në ADN-në tonë si një tjetër shprehje e vetëdijes se çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar”, – tha Rama.

Ne nuk jemi të pagabueshëm, tha Kryeministri duke shtuar se “përkundrazi, në mungesën e një opozite të besueshme është një sfidë më vete për mazhorancën që të vetëkorrigjohet”.

Kemi shumë për të korrigjuar, tha Rama, duke shprehur bindjen se “ky është një proces pozitiv”.

Kryeministri informoi se “protesta dhe arsyet e saj ishin në fokus të kësaj mbledhje”. “Folëm për domosdoshmërinë e madhe të protestës dhe domosdoshmërinë që ne ta mishërojmë ashtu si duhet shqetësimin real të saj. Studentët me këtë protestë e kanë shkundur politikën dhe në raport me veten, i kanë dhënë një shuplakë qeverisë”, – tha Rama.

I pyetur mbi ndryshimet në qeveri, Rama tha se “çdo gjë bëhet hap pas hapi”. “Nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Gjithmonë mendohem gjatë përpara se të bëjë ndonjë lëvizje. Ne do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do t’i përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve, por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi, sepse ne e dimë se ka ende shumë për të bërë. Pavarësisht rezultateve që janë arritur njerëzit meritojnë më tepër akoma”, – tha ai.

Kemi bërë gabimet tona, vijoi Rama, “gabime që i bëjnë të gjithë ata që punojnë, ndërtojnë dhe të marrin përsipër sfida të mëdha, por duhet të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara”. “E kemi lexuar me shumë vëmendje dhe respekt mesazhin e dhënë”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.