Agjencia Telegrafike Shqiptare

Privatizimi i ish-Serrave, Financat: Fitues janë trashëgimtarët Pinari

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ – Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi sot fakte që hedhin poshtë akuzat e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku që bëri me dije se ministri Arben Ahmetaj ka firmosur në vitin 2016 për privatizimin e zonës së ish-Serrës, për të favorizuar më pas biznesmenin Edmond Bego.

Endrit Duçka, Drejtor në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave, publike në një konferencë për medien u shpreh i gatshëm për të vënë në dispozicion dokumentet që provojnë se fituesi i vërtetë nuk është Edmond Bego, siç u shpreh më herët Partia Demokratike, por trashëgimtarët Pinari.

“Ky është dokumenti i firmosur nga këshilltari i Këshillit të Ministrave, i cili i ka hapur procedurë legalizimi në vitin 2007. Dëshiroj të ndalem në dy elementë që sqarojnë pozicionin e Ministrisë së Financave në këtë objekt. Në asnjë rast Ministria e Financave nuk ka firmosur asnjë dokument me Edmond Begon. Në asnjë rast nuk ka asnjë dokument që nxjerr fitues këtë person. Ministria ka favorizuar kalimin e serrave në pronësi të trashëgimtarëve të Hamdi Pinarit. Pagesa është kryer nga trashëgimtarët Pinari. Media është e ftuar për më shumë detaje dhe verifikime pranë Ministrisë së Financave për të gjithë objektet”, tha Duçka. j/p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version