Agjencia Telegrafike Shqiptare

Librazhd, miratohet buxheti për vitin e ardhshëm

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ – Këshilli bashkiak i Librazhdit miratoi sot me shumicë votash buxhetin për vitin e ardhshëm.

Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra tha gjatë prezantimit të buxhetit para anëtarëve të këshillit se buxheti i vitit 2019-ës është ambicioz. “Unë jam i bindur që ky është një buxhet shumë ambicioz. Ne vjet kemi investuar 1.1 miliardë ndërsa sivjet investojmë 1.4 miliardë në vitin 2019”, – tha ai.

Gurra nuk harroi t’iu përgjigjej edhe akuzave për rritje të numrit të punonjësve në këtë bashki.

“Sa i takon numrit të punonjësve, ne nuk e kemi rritur numrin e punonjësve në bashki por e kemi ulur sepse nëse deri dje 7 njësi janë bashkuar në 2. Numri i punonjësve në njësinë administrative së bashku me bashkinë nuk i kalon 120 veta. Por, ndodh që 97 veta ku përfshihen numri i edukatorëve të kopshtit ka kaluar të gjithë në bashkinë Librazhd. Dhe ky është një fond i deleguar, që pavarësisht se hyn tek numri i përgjithshëm i numrit të punonjësve, është i identifikuar qartësisht. Ndërmarrja e rrugëve që deri dje ka qenë me këshillin e qarkut 62 persona, tashmë kanë kaluar në varësi të bashkisë. Nga ana tjetër, punonjësit e zjarrfikëses, 14 persona deri dje kanë qenë në varësi të ministrisë së Brendshme, me reformën e re territoriale kanë kaluar në varësi të bashkisë, e njëjta gjë edhe për pyjet. Ndërkohë që, punonjësit e mensës sociale dy persona, projekti “Tungjatjeta” 5 persona dhe qendrat e reja bashkë me gjendjen civile 8 persona, pra fondet për 15 persona janë fonde të deleguara të cilat nuk i paguan bashkia Librazhd. Programi “Tungjatjeta” paguan 5 persona. Shoqata e cila ka marrë përsipër mensën sociale dhe për të cilën gjej rast ta falenderoj përpara jush, ofron ushqim falas për 70 persona dhe pagesa për 2 persona, ndërkohë që ne marrim përsipër pagesën e energjisë dhe të ujit”, – tha ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version