Agjencia Telegrafike Shqiptare

Festat e fundvitit, spitalet në gatishmëri

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ – “Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive”.

Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila festoi vigjiljen e Krishtlindjes me fëmijët e shtruar në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat për të siguruar shërbim 24 orë në ditët e festave, me personel të shtuar në urgjencat e spitaleve”, – tha Manastirliu.

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë për gatishmërinë gjatë festave të fundvitit parashikon edhe sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore shtesë për çdo emergjencë.
Gjithashtu në ditët e festave vendoset në gatishmëri edhe shërbimi i autoambulancave dhe Njësisë së Helikopterëve. Është përcaktuar edhe lista e mjekëve “on call” për çdo spital, pra që do jenë në gatishmëri për çdo situatë emergjente.

Festës në Pediatrinë e QSUT-së ju bashkua edhe administratori me ekipin e OShEE-së me dhurata për të gjithë fëmijët. Aktorët e “Portokallisë”, balerinë profesionistë dhe animatorë e personazhe të dashur për fëmijët krijuan atmosferë festive me dhurata e kërcime në të gjitha repartet e Pediatrisë.

Ministrja Manastirliu i ftoi të gjithë për të qenë më shumë solidarë në këto ditë të festave të fundvitit me ata që kanë më shumë nevojë. /z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version