Festat e fundvitit, fluks udhëtarësh me tragete nga Italia drejt Durrësit

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/- Tragetet që janë nisur nga Bari, Itali, drejt portit të Durrësit janë me vonesë, për shkak të fluksit të udhëtarëve që vijnë për të festuar pranë familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “vonesat e trageteve që duhet ankoroheshin në orën 08:00 në Durrës janë krijuar në portin e Barit, për shkak të numrit të madh të udhëtarëve”.

Sipas APD-së, tragetet “Rigel 1” dhe “Rigel 3” po mbërrijnë aktualisht në portin e Durrësit, ndërsa “AF Francesca” pritet të ankorohet rreth orës 13:00.

Çdo ditë në linjën Bari – Durrës dhe kthim lundrojnë 5-6 tragete, një numër dy herë më i lartë se sa në ditë normale.

Vetëm ditën e shtunë dhe të dielë, tre nga 6 tragetet kanë sjellë në Durrës 6700 udhëtarë dhe 1400 automjete gjithsej. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.