Portalet online, PD: Dy projektligjet e qeverisë antikushtetues, cenojnë lirinë e medieve

TIRANË,23 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – “Dy projektligjet e qeverisë që kërcënojnë me mbyllje dhe me gjoba milionëshe portalet online, janë plani i qeverisë për kufizimin e lirisë së medias në Shqipëri dhe kontrollin e plotë prej tij të çdo burimi informacioni në vend”, deklaroi sot Kryetarja e Komisionit të Edukimit, Albana Vokshi

Më tej, Vokshi shton se me ndryshimet e propozuara, arkitekti i shpifjes dhe i mashtrimit, Edi Rama, ka urdhëruar ndërhyrjen në Ligjin për Komunikimet Elektronike dhe në Ligjin për Median Audiovizive në mënyrë që të kontrollojë, gjobisë apo  të mbyllë portalet kritike, ato që i zbulojnë aferat korruptive dhe lidhjet me bandat kriminale.

“Këto portale lajmesh nxisin vepra penale apo nuk janë në përputhje me moralin pubik”. Për këtë arsye duhen gjobitur deri në 10 milionë lekë, ose duhen mbyllur përkohësisht apo përgjithmonë. Ndryshimet e propozuara, detyrojnë të gjitha portalet e informimin të regjistrohen pranë AKEP-it, një agjenci e kontrolluar nga qeveria, pavarësisht se mund të jenë të regjistruar në bazë të legjislacionit në fuqi, diku tjetër brenda apo jashtë Shqipërisë. Nëpërmjet shtimit të funksioneve të AMA dhe AKEP, Rama po kërkon që, ato të shndërrohen në institucionet që përgjojnë, gjobitin gazetarët dhe mbyllin mediet kritike online”, argumenton ajo.

Partia Demokratike e konsideron këtë si paketa e censurës së plotë.

“Asnjë nga këto parashikime antidemokratike nuk është model i ndonjë vendi të Bashkimit Europian. Kjo nuk është një paketë antishpifje. Kjo është paketa e censurës së plotë së medias. Partia Demokratike i konsideron dy projektligjet, antikushtetuese, që cenojnë rëndë lirinë medias, lirinë e fjalës si dhe të drejtën kushtetuese për informim të qytetarëve”, shprehet Vokshi./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.