TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ – Rreth një vit më parë përfundoi rikonstruksioni i varrezave publike të Sharrës në Tiranë.
Ky investim i kryer nga bashkia e kryeqytetit, ka bërë që varrezat publike të Sharrës të kenë një pamje dhe funksionalitet të ri dhe dinjitoz.
Investimi kishte për qëllim rindërtimin dhe shtrimin me asfalt të të gjitha rrugicave brenda dhe rreth varrezave. Gjithashtu janë ndërtuar vende parkimi në brendësi dhe jashtë varrezave.
Është vendosur system i ri ndriçimi, si dhe janë shpronësuar disa parcela të reja nga bashkia e kryeqytetit.
Për herë të parë në Shqipëri, janë ndërtuar varreza murale, ku janë vendosur ushtarët italianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rreth këtij investimi u shpreh kryetari i Njësisë Administrative Numër 6 në Tiranë, Adriatik Merko. Ai tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se ky investim ka përfunduar një vit më parë.
“Është një investim i bashkisë së Tiranës, me iniciativë të Kryetarit të Bashkisë. Ne si pushtet vendor, i kushtojmë një vëmendje dhe respekt të veçantë për prindërit dhe ata njerëz të cilët largohen nga jeta. Siç e shihni, ky është një investim i madh, janë ndërtuar rrugë të reja, vende parkimi, sistem ndriçimi. Pra për t’u ardhur sa shumë në ndihmë njerëzve të cilët vijnë për të përcjellë të afërmit e tyre në banesën e fundit”, – tha kryetari i njësisë administrative numër 6 në Tiranë.
/o.l/r.e/
