FOTO/ Rindërtohet shkolla “Llukë Mita”, në Urën Vajgurore

 

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ – Një tjetër dhuratë për komunitetin e Urës Vajgurore, në këtë prag festash. Shkolla “Llukë Mita”, në fshatin Konizbaltë u ndërtua nga e para nga operatori ekonomik TAP, një investim prej mbi 630 000 eurosh, që vjen si përgjigje për nevojat sociale dhe mjedisore që ka vendi ynë.

Godina e ndërtuar nga e para përveç se ofron kushte optimale, do të strehojë nën të njëjtën çati edhe fëmijët e kopshtit të fshatit Konizbaltë, duke ofruar shërbim cilësor për dhjetëra fëmijë të këtij komuniteti.

”Ne arritëm që të kishim bashkinë kampion që në 3 vite e pak ne të kemi mundësinë që nga 21 shkolla që ka bashkia e Urës Vajgurore, 19 prej tyre të jenë rinkonstruktuar plotësisht, te jenë transformuar dhe sot të jenë me standarde që do ti kishte zili çdo shkollë në Shqipëri, standarde që edhe nga bashkëpunimi i frytshëm me operatorin ekonomik TAP, që sot i ofrohet vajzave, djemve, fëmijëve të kësaj lagje, të rinjve që do i kenë këto ambiente jo vetëm si shkollë, por edhe si qendër komunitare, ku mund të organizojnë aktivitete, por edhe një simbol i një rilindje rurale që ne kemi në programin e qeverisë së Edi Ramës”, tha ministri Klosi, gjatë ceremonisë së inaugurimit të shkollës “Llukë Mita”.

Ai gjithashtu tha se buxheti 2019 është premtues veçanërisht për investimet në fshatra, për të zhvilluar jetën komunitare edhe në zonat rurale.

“Kjo është përpjekja jonë. Si do bëjmë që të kemi zhvillim ekonomik në zonat rurale? Edhe me buxhetin e ri të vitit 2019, zerimi i tarifave për inputet bujqësore është një kërkesë që e kam dëgjuar në çdo familje që kam hyrë në Urën Vajgurore dhe ne sot ajo po bëhet realitet. Pra, një jetë më e fortë nga pikëpamja ekonomike do të na japë mundësi që të kemi edhe investime të tilla si shkolla e sotme, e cila është një vepër jo thjesht një investim”, u shpreh ministri Klosi.

Edhe kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj vlerësoi investimin, duke e cilësuar si vepër që shkon drejtpërdrejt në ndihmë të komunitetit dhe të fëmijëve në veçanti. Nga ana e tij, menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, tha se godina e shkollës është ndërtuar nga e para nga TAP dhe se përveç nxënësve të shkollës, do të strehojë edhe fëmijët e kopshtit, në kushte optimale. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.