Vijon puna në bypass-in e Fierit, i kalueshëm që në sezonin e ardhshëm turistik

TIRANE, 21 dhjetor/ATSH/- Në kantierin e bypass-it të Fierit ka rifilluar puna për përfundimin sa më shpejt të kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore.

Me pamje nga puna për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm, Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në rrjetet sociale.

“MIRËMËNGJES , dhe me këto pamje nga kantieri i punës për ndërtimin e bypass-it të Fierit i cili do të jetë i kalueshëm që në sezonin e ardhshëm turistik, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Me gjatësi afërsisht 22 km dhe vlerë prej 60 milionë euro, financuar nga BERZH dhe BEI, bypass-i i Fierit është pjesë e korridorit të rëndësishëm rrugor që lidh Veriun me Jugun e vendit dhe kalon nga Lushnja në Vlorë.

Sezonin e ardhshëm traseja e bypass-it do të jetë e hapur dhe nuk do të jetë nevoja për t’i rënë nëpër xhepa, për të hyrë apo për të dalë nga Fieri.

Realizimi në kohë i këtij projekti sezonin e ardhshëm do të krijojë një lehtësi të madhe për qarkullimin duke i dhënë impuls të ri zhvillimi turizmit, ekonomisë dhe punësimit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.