Vetingu në politikë, Felaj: Amendamentet e PD-së sfidojnë SPAK-un dhe BKH-në

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Vetingu i politikanëve nuk mund të jetë sezonal si beteja që ka zgjedhur opozita”, – tha sot nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj.

Amendamentet e PD-së për vetingun në politikë, sipas Felaj sfidojnë direkt dhe indirekt veprimin dhe kompetencën e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të vetojnë çdo politikan dhe zyrtar të lartë.

Felaj tha se “luftën me krimin e organizuar opozita zgjodhi ta bëjë nga hotele elegante”. “Opozita filloi betejën me pam-pame dhe kjo betejë nuk ishte gjë tjetër, veçse një flluskë sapuni që sosi sa u ngrit në ajër”, – tha Felaj.

Sa i takon vetingut në politikë, Felaj tha se “Komisioni i Venecias iu përgjigj shumë qartë tekstit të propozuar nga opozita, duke nënvizuar se propozimi i këtij lloj vetingu ka mungesë të qartë të sigurisë ligjore”.

Politika nuk mund t’i bëjë veting vetvetes, tha Felaj, duke shtuar se “vetingun politikës ia bën populli përmes mekanizmit të zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, Felaj ftoi opozitën që të votojë sa më parë ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor, ndryshime këto të asistuara nga ndërkombëtarët.

Vetingu i politikanëve, sipas saj, “duhet të jetë i përhershëm dhe i ngjashëm me shpatën e Demokleut”. Kjo, tha Felaj, “duhet të ndodhë jo vetëm përmes instrumenteve ligjore që kemi ngritur deri sot, por mbi të gjitha në sajë të veprimit të pakompromis dhe objektiv të institucioneve të drejtësisë që përfshijnë një reformë të thellë”.

“Kjo na duhet dhe për këtë lufton çdo shoqëri e civilizuar dhe jo gjuetia e shtrigave apo populizmi. Institucionet e reja të drejtësisë do të jenë shpata e Demokleut kundër përfshirjes së krimit në politikë. Organet e reja janë konstituuar dhe veprimi i tyre ka filluar.  Kriminelët nuk kanë dhe nuk duhet të kenë ngjyrë. Ne refuzojmë të mbrojmë kriminelë, bëjeni dhe ju këtë hap dhe politika nesër do të bëjë një hap përpara”, – iu drejtua Felaj deputetëve të opozitës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.