Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qendër solidariteti për të fuqizuar vullnetarizmin

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/- Qendër solidariteti, që do të përfshijë shkollë profesionale, një qendër rehabilitimi, administrimi dhe kapanone magazinimi, pritet të ndërtohet në Tiranë në kuadër të një partneriteti publik privat, mes Qeverisë dhe “Fundjavës Ndryshe”.

Ky projekt u prezantua sot në 3-vjetorin e krijimit të fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Duke folur për projektin, Rama tha se “kur kam publikuar shtëpinë e parë që rindërtuam, Arbri më çoi një mesazh dhe në njëfarë mënyre më përshëndeti ironikisht për hapin tim të parë në këtë rrugë, duke më thënë si fillestar s’je keq, por mund të bësh diçka më shumë se kaq, nëse pranon të të them një ide”.

Sigurisht, vijoi Rama, “që unë e kam gjithmonë problem që të jem i dyti, kështu që i thashë ma thuaj idenë dhe ai më tha idenë e kësaj qendre”.

“Arbri kishte pikasur një zonë në anën tjetër të Tiranës, edhe faktikisht bëhej fjalë për një territor goxha të madh, ku është një zonë e ushtrisë. Menjëherë unë i thashë patjetër, por  mendoj se mund të shkojmë përtej kësaj”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërkohë ne kemi filluar një reformë të të gjithë sistemit tonë të emergjencave dhe të bashkojmë forcat dhe të bëjmë një partneritet publik privat (PPP). Kështu ramë dakord që të bëjmë një PPP, ku sigurisht gjithë pjesa e udhëheqjes dhe administrimit do të jetë e “Fundjavës Ndryshe”, por ne do të bashkëngjisim gjithë arsenalin tonë të emergjencave, që sot janë të përqendruara nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të gjithë sistemit të mbështetjes ekonomike dhe të përkrahjes sociale, për të bërë atë që tha Arbri, jo thjesht bashkimin material të forcave, por mbi të gjitha për të fuqizuar mesazhin e vullnetarizmit”.

“Aty ka një gjë që është shumë e rëndësishme, programi është i duhuri, nuk është një vend ku mblidhen ndihma, as një vend ku mblidhen vullnetarë për të shpërndarë ndihma, por është një vend ku bëhen disa shërbime të rëndësishme, që nga trajnimet profesionale, tek shërbimi i frymëzimit të të rinjve të tjerë”, – tha Rama.

Në këtë aspekt, tha Kryeministri, “kam besimin se mund t’i japim shumë dorë projektit”.

Kreu i qeverisë, duke shprehu kënaqësinë që ndodhej në 3-vjetorin e “Fundjavës Ndryshe”, tha se “më vjen shumë mirë që jam këtu sot dhe jam këtu sot si rezultat i një momenti që ka qenë ndoshta momenti më i vështirë i imi në një studio televizive, juve ndoshta mund t’u kujtohet jo për shkakun tim, por për shkak të Arbrit, kemi qenë bashkë në atë studio televizive kur më ftuan tek “Opinioni” për të marrë pjesë në një diskutim për bamirësinë”.

“Që në momentin e parë që filloi biseda u pendova që kisha shkuar, për shkak se ma ha mendja çdo kryeministër në botë, në një situatë ku gjithë vëmendja është përqendruar tek momentet më kritike, tek familjet në gjendje më kritike, vetvetiu vendoset në pozicionin e atij që i ka të gjitha fajet dhe nuk ka as gojë të flasë”, – theksoi Rama.

Megjithatë, vijoi ai, e mira e atij emisioni, ku nuk do të kisha shkuar po të kthehej mbrapa filmi, ishte që mora shtysën për të bërë edhe unë pjesën time duke marrë parasysh mundësitë që kam.

“Nënë Tereza thoshte se ‘Varfëria nuk është krijuar nga Zoti, por nga fakti që unë dhe ti nuk e ndajmë atë që kemi” dhe nuk diskutohet që përpara Nënë Terezës profeti i shumëkujt këtu ‘Paqja e zotit qoftë mbi të!’, e ka thënë që bamirësia nuk të varfëron dhe Arbri si djalë i zgjuar, e ka marrë fjalën e Profetit dhe shumëkush mendon se e ka gjetur këtë dhe kjo ia shton respektin njerëzve për Arbrin”, – u shpreh Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “këtu është vendi për të kujtuar një shprehje, ‘kemi ardhur nga asgjë dhe do të ikim pa asgjë’. Ka vetëm një gjë që mund ta lëmë mbrapa, qoftë në një zemër dhe në një mendje të vetme”./k.s/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version