Agjencia Telegrafike Shqiptare

KQZ, trajnon të rinjtë në Fier mbi rëndësinë e votës

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi një sesione trajnimi dhe edukimi zgjedhor në Qarkun Fier, me të rinj të shkollave të mesme, gra aktiviste të shoqërisë civile dhe komunitetin rom në Levan, Zharrës dhe Baltëz.

Në sesionet e organizuara në shkollat e mesme, maturantët të cilët në zgjedhjet vendore 2019 do të jenë votues për herë të parë, u njohën me garancitë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës në mënyrë të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë, dokumentet e vlefshme të identifikimit për votim, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, rëndësinë e votës si shprehje e vullnetit të lirë dhe të pandikuar për demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua veprave penale që cënojnë votën e lirë, duke vënë theksin tek cënimi i fshehtësisë së votës përmes fotografimit dhe shfaqjes në rrjete sociale. Të rinjtë u njohën më konkretisht me procedurat e votimit përmes simulimit të procesit të votimit.

Në sesionet e zhvilluara në tre vendqëndrimet e komunitetit rom, u bashkëbisedua me anëtarët e komunitetit për të informuar, sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar për fenomenin negativ të tjetërsimit të vullnetit të tyre, kryesisht përmes shitblerjes së votës.

Të rinjtë rom, pjesëmarrës në takime, u shprehën të gatshëm për të kontribuar për ndërgjegjësimin e komunitetit për pasojat individuale dhe shoqërore që sjellin veprimet që cënojnë votën e lirë, duke informuar dhe sensibilizuar anëtarët e komunitetit, si dhe për tu angazhuar në realizimin e programeve edukuese dhe trajnuese që KQZ do të realizojë në vijimësi. /o.l//a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version