Ismail Kadare zgjidhet anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi 

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/- Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi se Asambleja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, ka zgjedhur Ismail Kadarenë, anëtar të jashtëm.

Lajmi bëhet i ditur nga letra që Presidenti i Akademisë, akademik Dragan K. Vukčević, i ka dërguar Kadaresë.

“Është nderi dhe kënaqësia ime t’Ju informoj se në Asamblenë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, mbajtur më 18 dhjetor, 2018, Ju jeni zgjedhur anëtar i huaj i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Jam i sigurt se me autoritetin dhe punën Tuaj profesionale, do të kontribuoni shumë në zhvillimin e mëtejshëm dhe reputacionin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”, thuhet në letrën e presidentit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi. /m.z//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.