Bushka: Jo shenjë barazie mes vetingut në politikë dhe atij në Drejtësi

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka tha gjatë seancës së sotme plenare se sikurse parashikon edhe Komisioni i Venencias, Vetingu në politikë nuk mund të jetë i barabartë me vetingun në sistemin e Drejtësisë.

Deputja argumentoi se Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj kur ka analizuar nenin 18 të Kushtetutës thotë që nuk mund të vëmë shenjë barazi njësoj për të gjithë shtetasit kur ata nuk janë në kushte të ngjashme dhe kjo, sipas saj, përkon me linjën e asaj që parashikon Komisioni i Venecias që nuk mund të jetë krahasimi i vetingut në politikë i barabartë me vetingun në sistemin e drejtësisë.

“Të pastrojmë politikën nga politikanët e korruptuar është një qëllim legjitim dhe këtë ka thënë Komisioni i Venecias. Dhe ka thënë: nuk mundet që të përdoren të njëjtat mekanizma që përdoren për vettingun për qjyqësorin edhe për vettingun në politikë. Së pari, thotë Venecia: Gjyqtarët dhe Prokurorët janë subjekt që nuk emërohen për një periudhë të caktuar por përjetë dhe kjo nënkupton që deri në daljen e tyre në pension, nëse nuk kryejnë ndonjë veprim që bie ndesh me ligjin dhe etikat do të qëndrojnë në detyrë pa qenë nevoja e vlerësimit të tyre. I vetmi rivlerësim që bëhet për ta është për efekt karriere ndërsa politikanët zgjidhen për një mandat të kufizuar në kohë duke qenë të përkohshëm në detyrën e tyre. Dhe kategoria e të gjithë zyrtarëve që përfshihen në propozimin e kolegëve të opozitës ka të bëjë më kontrollin e pastërtisë së figurës të të gjithë atyre zyrtarëve dhe atyre politikanëve që kanë mandat të kufizuar”, tha deputetja e Partisë Socialiste.

Bushka solli një rast të përmendur nga Komisioni i Venecias, ku argumentohet se pse nuk mund të vendoset shenjë barazie mes vetingut në politikë dhe asaj në Drejtësi, në kundërshtim me atë çka opozita pretendon.

“Po të mbajmë parasysh natyrën e takimeve të kryetarit të bashkive, të deputetëve në mitingje, apo salla të mëdha takimesh ku jo gjithmonë i njohim të gjithë njerëzit që i takojmë, apo detyrimin e të zgjedhurve sipas ligjit për statusin e deputetit që të komunikojë më çdo qytetar që kërkon të dëgjohet dhe takohet, kontakti i papërshtatshëm që kolegët e opozitës kanë paraqitur në propozimin e tyre është një nocion me të cilin mund të abuzohet lehtë gjatë zbatimit të tij. Së dyti, mazhoranca nuk lëkundet nga besimi dhe qëndrimi i saj se drejtësia e pavarur dhe e pakorruptuar, e pandikuar nga politika është ajo që bën vetingun e vërtetë të politikës, duke garantuar edhe integritetin e zyrtarëve publikë”, përfundoi deputetja socialiste, Klotilda Bushka. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.