Balla: Opozita asnjë shqetësim për anëtarët e Bordit të BSH

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot në Kuvend se opozita nuk ka shprehur asnjë shqetësim për kandidaturat e anëtarëve të Bordit të Bankës së Shqipërisë.

“Jam i gatshëm që të hapet procesverbali i Konferencës së Kryetarëve dhe aty nuk është ngritur shqetësim për çështjen e anëtarëve”, tha Balla.

Ai theksoi se, “ka një procedurë që të kandidosh për anëtar të Bordit të Bankës së Shqipërisë. Duhet të të aplikosh në procesin e inicuar nga Kuvendi. Kuvendi ka hapur një proces, ku kanë kandiduar 30 e më shumë kandidatë. Të gjithë këta kandidatë u dëgjuan në një proces të hapur, ku morën pjesë nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, që është funksionar publik dhe anëtarë të Komisionit të Ekonomisë. Më thoni kush anëtarë të Komisionit nga forca juaj politike shpallën interes për anëtarët. Ndërkohë e futëm Bankën e Shqipërisë në një empas të paimagjinueshëm për shkak të vonesave”.

“Nëse do të kishit pasur interes për ato kandidatura, ta kishit sjellë. E drejta e grupit të PS është një e drejtë që na takon dhe nuk e negociojmë me ju”, tha Balla.

Sa i përket kandidaturave me qeverinë, kreu i grupit parlamentar të PS, u shpreh se, “qeveria është krejtësisht autonome në këtë proces. Ka zhvilluar dhe ajo procesin e vet me seanca dëgjimore, me shfaqje interesi”.

Balla u shpreh se për herë të parë qeveria ka zgjedhur dy kandidatura nga opozita.

“Kujtoj rastin e vitit 2011, kur ne atëherë i kërkuam z. Berisha që në kandiaturat që vijnë si propozim i qeverisë të kishte një kandidaturë nga opozita, nuk pranoi me të drejtë. Arsyetimi i z. Berisha në atë kohë ishte i drejtë, pasi përsa kohë ligji thotë që i takon qeverisë është zgjedhja e tij. Në krah të kundërt me z. Berisha, z. Rama ka zgjedhur dy kandidatura nga opozita. Të më thuash ti mua që Ridvan Bode është i imi dhe e kam çuar unë këtë kandidaturë kjo është turp. Nuk mund të vijë dita që Oerd Bylykbashi ti bëjë gjyqin Ridvan Bodes dhe të thoni që e kemi kapur neve Ridvan Boden. Ridvan Bode ka qenë ministër në dy qeveri të ndryshme të PD-së edhe në Saliun e parë edhe në Saliun e dytë”, tha Balla.

Po ashtu, vijoi Balla, “znj. Suela Popa Tavo është sigurisht një kandidaturë serioze, e cila në asnjë moment nuk mund të konsiderohet si përfaqësuese e PS”.

“Kështu që nëse do të kishit diçka serioze për këtë, dje ishte votimi, s’kishit pse flinit gjumë dje, vinit këtu. Se një opozitë që mbushi një mal dhe prodhoi dy vezë, vetëm ju mund të jeni. Që erdhët gjoja për të bllokuar Dekretin e Presidentit dhe përfunduat në fund me 2 vezë plus 2 vezë me 22 vota gjithsej pro Dekretit të Presidentit”, tha Balla.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.