Qeveria, financim me konsulentë për masterat shkencorë

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, ministritë do të financojnë një numër të caktuar konsulentësh në ndihmë të fushës së shkencës për studentët që duan të ndjekin masterin shkencor.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Politeknik, të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe atij të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Tiranë, Kryeministri tha se “ministritë do të financojnë një numër të caktuar konsulentësh. Në rastin e Ministrisë së Bujqësisë, do të vërë në dispozicion të universitetit një shumë, për konsulencë në ndjekjen e burimeve ujore, skema të tilla ndihmëse në fushën e shkencës do të ketë për të gjithë ata studentë që duan të kryejnë master shkencor”.

Në përgjigje të një studenti që kërkoi motivim më të madh për punësim dhe të ardhurat të qëndrojnë në department e jo në Universitet, Kryeministri shpjegoi se fondet për studime shkencore do të jenë fonde specifike.

“Ne jo vetëm që do t’ju financojmë direkt, por do të stimulojmë biznesin privat që të vijë në Universitet dhe këto nisma i ka të shkruara ligji për autonominë e universiteteve”, – tha Rama, duke nënvizuar se kjo protestë duhet të prodhojë zgjidhje me shtrirje afatgjatë e afatmesëm.

Kryeministri theksoi se, janë të gjitha këto çështje të vlefshme arsyeja që pse kërkon të flasë.

“Të gjitha propozimet tuaja duhet të shkruhen, por është mirë të shkruhen te portali që t’i analizojmë dhe adresojmë. Janë gjëra që për pak gjë, ngecin për të hapur rrugë në bërjen e një gjëje të mirë”, – tha Rama.

Në lidhje me kërkesën e një studenteje për të reduktuar tarifën e masterit, apo që kjo tarifë të shkojë si kompensim për praktikat në terren, Kryeministri Rama tha se, “ne nuk do të bëjmë asnjë shpikje, ky është një proces që nuk mund të bëhet dot sa hap e mbyll sytë. Kishim numrin më të lartë në botë të doktorëve shkencorë për km 2, kemi filluar ta kurojmë problemin edhe me Ligjin për Arsimin e Lartë kemi vënë një bazë dhe do punojmë ta thellojmë atë”. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.