Ndahet ”Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018”

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Banka e Shqipërisë zhvilloi sot në mjediset e saj, ceremoninë e ndarjes së tre çmimeve të konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2018″.

Me çmimin e parë u vlerësua Migena Musli, studente në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, për temën “Investimet e huaja në Shqipëri. Rasti i burimeve natyrore si një mundësi investimi”, çmim i cili iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Tema vlerëson se burimet e shumta natyrore dhe kuadri ligjor e financiar për investimet e huaja janë të favorshëm për të thithur më shumë investime të huaja. Përtej trajtimit teorik e krahasues, autori ka bërë një përshkrim të dokumentuar të burimeve natyrore dhe avantazheve të tyre për investitorët e huaj në rastin e Shqipërisë. Tema sjell një këndvështrim optimist dhe përçon një sinjal shprese, duke të kujtuar se Shqipëria është një vend i pasur dhe me potencial, që ka nevojë dhe pret të shfrytëzohet me përgjegjshmëri.

Me çmimin e dytë u vlerësua Donald Vullnetari, student në Universitetin e Tiranës, për temën “Dinamika e inflacionit në perspektivën e kurbës Neo-Keynesiane të Phillipsit: Rasti i Shqipërisë”, çmim i cili iu dorëzua nga Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Tonin Kola.

Tema është shkruar në mënyrë rigoroze dhe analizimi është bërë duke u mbështetur në literaturë të përshtatshme ekonomike. Për më tepër, vlerësimi i lidhjes bazohet në metodat e vlerësimit ekonometrik, duke adresuar problemet që lidhen me varësinë e ndërsjellë të treguesve dhe të specifikimit të saktë të modelit. Rezultatet tregojnë për një lidhje pozitive midis inflacionit dhe hendekut të prodhimit, si dhe evidentojnë faktin se pritjet inflacioniste janë backward-looking (përcaktohen nga e shkuara), ku e shkuara ka rëndësi për formimin e pritjeve të inflacionit në të ardhmen.

Ndërsa me çmimin e tretë u vlerësua Klinsman Ndoje, student në Universitetin Libre de Bruxelles, për temën “Transition from equity to inequity”, çmim i cili iu dorëzua nga zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.

Varfëria dhe pabarazia janë dy tema kryesore që aktualisht dominojnë jo vetëm debatin ekonomik, por edhe atë politik e social. E nxitur nga aspektet apo efektet anësore të zhvillimit të shpejtë ekonomik si rezultat i globalizimit, tranzicionit apo fenomeneve të tjera, këto dy tema janë bërë një forcë lëvizëse me një ndikim të konsiderueshëm në ngjarjet politike e sociale. Tema ka një shtjellim të plotë dhe eficient të fenomenit, metodologjisë dhe rezultateve të paraqitura.

Ky konkurs organizohet çdo vit nga Banka e Shqipërisë dhe i dedikohet studentëve shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, për punë kërkimore-shkencore në çështje të lidhura me ekonomiksin monetar e ndërkombëtar, stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, integrimin ekonomik etj. /e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.