Dëbimi i ambasadorit iranian, Trump-Ramës: Treguat udhëheqësi

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Presidenti i Shteteve të bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka përgëzuar qeverinë shqiptare për veprimet e ndërmarra kundër regjimit iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë europiane.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Europë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin”, shkruan Presidenti Trump në letrën drejtuar Kryeministrit Rama.

“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë europiane”, thekson Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

“Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Europë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, thekson Ambasada.

Ne, vijon reagimi i Ambasadës, qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.