Vlorë – Stacion pompimi për ujërat e bardha në rrugën “Albano & Romina”

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/- Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve ka nisur ditët e fundit një projekt, për ndërtimin e një Stacioni Pompimi, për të tërhequr ujërat e bardha gjatë reshjeve të shiut.

Puna është përqendruar në rrugën “Albano & Romina”, në segmentin që lidh këtë zonë me Transballkaniken, zonë që ka më shumë probleme gjatë përmbytjeve masive në qytetin bregdetar.

Punimet u inspektuan edhe nga drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dritan Xhelili, i cili bëri të ditur se “në kuadër të këtij projekti synohet krijimi në zonën më problematike i një ministacioni ku do të operojnë dy pompa që do të heqin ujërat e bardha në ditët me reshje masive, në mënyrë që uji të mos grumbullohet në këtë rrugë”.

Zona në rrugën “Albano & Romina” është bërë problematike në vite për shkak i përmbytjeve në qytet.

Pas realizimit të këtij projekti nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve pritet që në këtë zonë të shmanget mbledhja e ujit dhe përmbytjet e qytetit në ditët me reshje intensive. /k.s/ /a.g/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.