Vetingu, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosova në seancë dëgjimore

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Prokurori Adnan Kosova i është nënshtruar sot Vetingut, në një seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vlerësimi ndaj tij është kryer në të treja kriteret: pasuria, pastërtia e figurës dhe aspekti profesional.

Për kriterin e pasurisë, ILDKPKI, ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Vetë KPK kreu një hetim të thelluar në lidhje me pasurinë, ku rezulton se Kosova ka deklaruar pasuritë: apartament 93 metra katrorë blerë për 96 mijë dollarë amerikanë në vitin 1998.

Ka një makinë në vlerën e 11 mijë eurove, ndërsa si burim të ardhurash për apartementin ka vendosur të ardhurat nga paga e punës si të tij pedagog, dhe shitja e një tjetër apartamenti në Korçë. Prokurorit iu kalua barra e provës, për mungesën e të ardhurave në vitin 1998. Subjekti ka kërkuar edhe marrjen e disa dëshmive në lidhje më këtë problem.

DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se, prokurori ka plotësuar saktë formularim dhe nuk ka informacione se ka lidhje me persona të inkriminuar, duke konstatuar përshtatshmërinë në detyrë.

Për aftësitë profesionale, komisioni ka analizuar raportin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas raportit, ka rezultuar se prokurori kryen saktë detyrën e tij. Ka patur dy denoncime, por sipas KPK nuk ka indicie për shkelje të detyrës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.