Rishikim i kuadrit ligjor në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuar

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot përfaqësues të “Klubit kombëtar të prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuar, CSA dhe PAK”.

Ata i paraqitën Kryetarit të Kuvendit disa kërkesa që lidhen me mbrojtjen  dhe trajtimin më të mirë të nevojave të fëmijëve.

“Këto kërkesa u janë paraqitur më parë disa ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, por ende nuk kanë marrë përgjigje”, thanë ata, duke kërkuar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit për arsimin, për pranimin në institucionet e edukimit të fëmijëve më këto probleme.

Po ashtu, ata kërkuan hartimin dhe zbatimin e programeve individuale sipas nevojave specifike të fëmijëve; fuqizimin e rrjetit të qendrave publike të shërbimeve sepse shërbimet private janë të papërballueshme; terapi e mbështetje për prindërit dhe familjet; akses më të lartë në shërbimet shëndetësore dhe barnat; lehtësime të tarifave të shërbimeve të tjera publike etj”.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, pasi dëgjoi me vëmendje kërkesat premtoi se do të angazhohet për rritjen e sensibilitetit të shoqërisë për fëmijët me probleme, për rritjen e përgjegjësisë së ministrive të linjës në trajtimin e tyre si edhe për rishikimin, nëse do të vlerësohet e nevojshme, të kuadrit ligjor për trajtimin e fëmijëve me CSA dhe aftësi të kufizuara.

“Si Kryetar i Kuvendit, por edhe si qytetar dhe si prind, do të bëj të gjitha përpjekjet që kërkesat tuaja të gjejnë zgjidhje”, premtoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.