Rama: Kjo gjeneratë po vuan rezultatet e reformave që nuk u bënë në 20 vjet

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Kjo gjeneratë sot po vuan rezultatet e reformave që nuk u bënë në 20 vjet, pro ne duhet të sakrifikojmë që gjenerata tjetër të mos ketë këto probleme”.

Kështu iu drejtua sot, Kryeministri Edi Rama, studentëve të Universitetit të Vlorës, në një bashkëbisedim mbi 8 kërkesat e tyre.

“Të thuash pse të bëhet Lungomare, kur mund të paguhen tarifat tona, do të thotë të mos kesh kuptuar “A-në”. Lungomare krijon ekonomi, turizëm, punësim. Lungomare do të thotë të investosh sot dhe ta kesh aty investimin për 100 vjet, ndërkohë që paratë nëse i shpërndan sot, nesër nuk ke as Lungomare, as para”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është e vërtetë që Shqipëria është shumë larg Gjermanisë, por është shumë ndryshe nga çfarë ka qenë 5 vite më parë”.

“Ne nuk mund t’i bëjmë pensionet 400 euro, që t’i bëjmë rrush e kumbulla dhe vitin tjetër të vrasim njëri-tjetrin. Suden do sjellim prapë. Si mund të bëhet arsimi falas?” – tha Kryeministri, duke iu drejtuar studentëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.