Punësimi në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta u rrit me 18,7%

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/- Ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 18,7% të të punësuarëve gjithsej në ekonominë vendase, nga 16% që kishin punësuar në vitin 2016.

Sektori me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2017 ishte tregtia me 24,6% të punësimit. Ndërkohë që punësimi shënoi rritje dhe në sektorin e shërbimeve të tjera, arsim, shëndetësi private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj, me 21,4 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,4% të të punësuarve gjithsej.

Shifrat nuk përfshijnë treguesit në rritje të vetëpunësimit, përmes Programit të Vetëpunësimit të Shërbimit Kombëtar të Punës, që mbështet me grante idetë në start-upe, apo rikualifikimin me kurse profesionale.

Përmes implementimit të programeve nga Zyrat e Punës, vetëm për periudhën 7-13 dhjetor 2018 janë punësuar 609 persona.

Sipas statistikave nga Zyrat e Punës, qarku i Tiranës ka numrin më të madh të të punësuarve falë zyrave të punës, me 190 persona. E ndjekur nga qarku Durrës me 105 persona të punësuar, Fieri 56 persona, Korçës 26 persona të punësuar etj.

Rritja e punësimit në ndërmarrjet e prodhimit dhe shërbimeve shënoi një rritjen prej 4,9% gjatë vitit 2017, rritje kjo që dha një kontribut me rritje 2,8% në prodhuesit e të mirave në ekonomi, bën të ditur INSTAT. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.