Presidenti i “Interit”: Ka ardhur koha të mendojmë seriozisht për titullin kampion

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/- Në vitet e fundit, “Interi” ka qenë shumë larg pritshmërive dhe nga objektivi që ka pasur vazhdimisht për titull kampion, doli në objektivin për të luajtur në Kupat e Europës.

Megjithatë, ajo periudhë duket se është lënë pas, të paktën kështu thotë presidenti Stiven Zhang.

Në një prononcim për mediet gjatë mbrëmjes së Krishtlindjeve që klubi zi kaltër kishte organizuar, Zhang e ka cilësuar vitin 2018 si mjaft të bukur dhe të suksesshëm.

Ai shprehet se kualifikimi në Ligën e Kampionëve ka qenë një nga gjërat më të bukura të viteve të fundit.

“Në krahasim me 5 vite më parë, mund të them se gjithçka ka ndryshuar për mirë. Viti 2018 ishte shumë i bukur dhe i veçantë duke qenë se u kualifikuam në ‘Champions’ dhe të gjithë do ta mbajmë mend atë gol të Vecino që na bëri të luanim me ekipet më të mira në botë. Kur shoh disa ndeshje të “Interit”, mendoj se jemi të pamposhtur, kështu që ka ardhur koha të flasim dhe të mendojmë seriozisht për titullin kampion dhe suksese të tilla”, tha mes të tjerash Zhang.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.