Nuk do të jetë Zidane, “Manchester United” konfirmon pasuesin e Murinhos

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- “Manchester United” ka gjetur trajnerin e ri të saj, që do të zërë vendin e Jose Murinhos, të larguar vetëm një ditë më parë.

“Djajtë e kuq” mesa duket kanë gjetur pasardhësin e “Speciale One” dhe pritet të jetë një emër i njohur për “Old Traford”. Nuk do të jetë Zinedine Zidane, kampioni i Europës për tre vite radhazi me “Real Madrid”, por do të jetë ish-sulmuesi i “Manchester United”, Ole Gunnar Solskjaer.

Murinho u largua pas dy vitesh e gjysmë në drejtim të “United”, pas rezultateve tejet negative në kampionat, duke qenë 19-të pikë larg vendit të parë në “Premier Ligë”. Kjo ka qenë dhe arsyeja që drejtuesit e “United’ kanë vendosur shkarkimin e portugezit.

Sipas mediave britanike, Solskjaer do të qëndrojë deri në fund të këtij sezoni dhe në varësi të rezultatit do të konfirmohet ose jo në krye të djajve të kuq.

Solskjaer ka nisur eksperiencën e tij si teknik te skuadra e dytë e “United” në vitin 2008, teksa këtë sezon ishte në krye të “Moldes” në vendlindjen e tij në Norvegji. Tashmë, sipas të gjitha gjasave, Solskjaer pritet të nënshkruajë kontratën me “United” në orët në vijim.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.