Në 2019 nis thellimi i kanalit hyrës të Portit të Durrësit

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ – Gjatë vitit 2019 do të realizohet projekti për thellimin e basenit dhe kanalit hyrës të Portit të Durrësit.

Këtë deklaratë e bëri drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Afrim Bakaj, gjatë takimit të fundvitit me përfaqësuesit e medieve lokale dhe qendrore, pas urimeve me rastin e festave të fundvitit.

Bakaj theksoi se ky projekt mundësohet pas 14 vjetësh dhe do të financohet nga vetë Autoriteti Portual, me një shifër prej 8.6 milionë euro.

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Afrim Bakaj tha se ky është investimi më i madh, që ndërmerr APD me buxhetin e tij.

Thellësia e parashikuar në përfundim të projektit arrin në 10.5 metra, nga thellësia aktuale prej 7.5 metra.

Sipas Bakaj, thellimi do të mundësojë që në port të hyjnë dhe të përpunohen anije që mbajnë deri në 1000 kontejnerë.

Në kalata do të mund të ankorohen gjithashtu edhe anije me gjatësi deri në 174 metra.
Tashmë ka nisur procesi i prokurimit dhe pritet finalizimi, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë.
Thellimi duhet të përfundojë në një afat prej 5 muajsh, nga njoftimi i fillimit të punimeve. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.