Kontrata e shitjes me Begon, reagon Ministria e Financave: Nuk ekziston, privatizimi nisi nga qeveria e PD-së

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Ministria e Financave hodhi poshtë akuzat e Partisë Demokratike, që pretendon se dokumentet e Hipotekës provojnë se sipërfaqja e ish-serrave i ka kaluar për ndërtim kompanisë “Alsion-Albania”, që sipas PD-së, rezulton 100% në pronësi të Begos.

Ministria e Financave thotë për deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila përcolli akuzat sot nga selia e Partisë Demokratike, se ka gënjyer sërish qytetarët shqiptarë, për një proces privatizimi të iniciuar nga vetë partia e zonjës Tabaku.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe më pas Ministria e Financave, nuk ka lidhur asnjë kontratë me personin apo kompaninë në fjalë. Kërkesa për privatizim, është bërë dhe miratuar në vitin 2007, me firmën e ministrit Genc Ruli. Në vitin 2016 Ministria e Financave finalizoi procesin e shitjes me trashëgimtarët e ligjshëm të truallit, sipas kontratës bashkëngjitur, ku asnjë nga personat e palës blerëse nuk rezulton të jetë z. Bego”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Financave.

Duke sjellë detaje në vëmendje të publikut, Ministria e Financave thotë se në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Ish-pronarëve, me Vendimin nr. 8 datë 20.04.1995 vendosi:

1-      Të njohë Maliq dhe Hamdi Pinari, ish-pronarë mbi një truall me sipërfaqe 34.000 metra katrorë që ndodhet në lagjen e Re të Tiranës.

2-      Trualli i lirë me sip. 10 mijë metra katrorë t’i njihet dhe kthehet pronarëve.

3-      Trualli i zënë nga serrat, duke përfshirë dhe magazinat e saj iu është njohur pronarëve (trashëgimtarëve të tyre) si dhe iu është dhënë e drejta e parablerjes, kur ato të privatizohen.

“Në vitin 2007 ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, kërkoi miratimin e Këshillit të Ministrave për kërkesën e trashëgimtarëve për privatizimin e pronës së sipërpërmendur.

Këshilli i Ministrave në vitin 2007, me një shkresë çuditërisht “urgjente” për një procedurë të tillë, (Nr. 991/2 dt. 05.04.2007) shprehet dakord për miratimin e privatizimit të objekteve “stacioni i gjedhit” dhe “serra dhe magazinë”, siç tregohet në dokumentin bashkëngjitur, që i hapi rrugën miratimit të procedurës së privatizimit. Në vitin 2007! Pra, në kohën e qeverisë së zonjës Tabaku”, thotë Ministria e Financave.

Sipas njoftimit të ministrisë, i gjithë procesi i ndjekur pas miratimit të privatizimit, është thjesht procedurë. Në vitin 2015, Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në përgjigje të interesimit të Ministrisë së Financave, ka konfirmuar Vendimin e vitit 1995 mbi njohjen e pronësisë së truallit dhe të drejtën e parablerjes për ish-pronarët.

Procedura e shitjes u finalizua mes Ministrisë së Financave dhe palës blerëse (të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të truallit), me kontratën e shitjes nr. 157 Rep. 119 Kol, datë 09.06.2016. Për palën blerëse kanë nënshkruar kontratën të gjithë trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar “Maliq dhe Hamdi Pinari”, ku në asnjë rast nuk figuron asnjë person me emrin e përmendur nga Partia Demokratike. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.