Haradinaj, bisedë me Stoltenberg për Ushtrinë

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ -Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, pas miratimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media, të lëshuar nga NATO.

Sipas njoftimit, thuhet se Stoltenberg i ka konfirmuar Haradinajt se Këshilli Veriatlantik ka zhvilluar një diskutim fillestar rreth ligjeve të miratuara për transformimin e FSK-së.

“Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi  Haradinaj se, ndërsa mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veriatlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në në vitin e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë.

“KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi tranzicionin e FSK-së”, theksohet t’i ketë thënë Stoltenberg-Haradinajt. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.