Dokumenti final i Venecias, Bylykbashi: Ekselent, Manja: Opozita i sheh humbjet si fitore

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja u shpreh për ATSH, përsa i përket dokumentit final të Komisionit të Venecias për vetingun në politikë, se opozita i sheh humbjet si fitore, ndërsa deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi e konsideron si ekselent, duke i hapur rrugë vetingut në politikë.

Manja tha për ATSH se “si përherë edhe në rastin e miratimit të opinionit final të Venecias në lidhje me Vetingun e politikës debati me opozitën ka qenë dhe është kush fitoi e kush humbi, apo kujt i dha të drejtë Venecia e kujt jo, apo e lagu, s’e lagu”.

“Opozita ka kohë që i shet humbjet për fitore, por kjo është puna e Oerdit me shokë që opinionet juridike i lexojnë me syzet e Lulzim Bashës dhe jo me këmbë në tokë siç do të duhet t’i lexojë një jurist, sepse përtej politikës profesioni mbetet profesion”, tha Manja për ATSH.

Megjithatë edhe në këtë rast, shtoi Manja, Venecia tha se “atë që thotë një panel ekspertësh konstitucionalistë me reputation ndërkombëtar që nuk kanë hall pushteti, si puna e Lulit me shokë: Nisma e opozitës nuk vjen në një vakuum ligjor, pasi Shqipëria ka kuadrin e plotë kushtetues dhe ligjor në kuadrin e Reformës në Drejtësi dhe atë të dekriminalizimit për ti dhënë përgjigjen e duhur shqetësimeve të ngritura nga opozita nëpërmjet organeve të SPAK dhe BKH, si organe të specializuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në radhët e zyrtarëve të lartë publik dhe që do ngrihen së shpejti”.

Manja argumenton se vetingu në politikë i propozuar nga opozita bie ndesh me KEDNJ.

Duke argumentuar opinionin final të Venecias, Manjë shton se “nisma në vërtetë bie ndesh me nenin 3 të protokollit të parë të KEDNJ, që garanton të drejtën e zgjedhjeve të lira, nenin 6 të KEDNJ që garanton të drejtën për një proces të rregullt ligjor, nuk ofron siguri ligjore, është jo proporcionale, i mungon mekanizmi i zbatimit dhe ekziston mundësia e keqpërdorimit politik në dëm të kundërshtarit. Për të gjitha këto arsye, por edhe të tjera që kanë të bëjnë me kufizimin e të drejtës për t’u zgjedhur dhe për t’u ofruar në shërbimin publik, nisma e opozitës vë në diskutim efektivitetin e ushtrimit të këtyre të drejtave duke i pamundësuar sovranit të drejtën për të zgjedhur nëpërmjet votës së lirë si formë e ushtrimit të pushtetit në demokraci”.

Në vijim, deputeti i PS-së Manja shton se “paralelizmat e qëllimshme që përpiqet të bëjë opozita me Vetingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë një përpjekje e dështuar e saj për të shkallmuar kushtetutën që nenin 1 të saj dhe që ka marrë përgjigjen e duhur dhe shteruese nga Venecia.

Manja deklaron se Vettingu me i mirë i politikës është SPAK dhe BKH.

“Do veting të politikës opozita ? Përgjigja është e qartë: SPAK dhe BKH për t’i bërë qelizëm penal dhe pasuror politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të këtij vendi pa dallim krahësh politikë dhe jo veting me komisione Ad-Hoc politikanësh apo të zgjedhur prej tyre për të luajtur lojë kungulleshash mes veti”, tha Manja për ATSH.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi e cilëson opinionin final të Komisionit të Venecias si ekselent.

Duke folur për ATSH, Bylykbashi deklaron se opinioni final i Venecias i hap rrugë vetingut në politikë.

“Dokumenti final i Venecias është ekselent. Guide shumë e mirë se si ta përmbyllim. I ka hapur rrugën Vetingut duke e quajtur legjitim, thotë çfarë duhet bërë e çfarë duhet patur kujdes në përputhje me standardet, u thotë palëve të ulen në dialog për të vazhduar hapat e mëtejshëm pra për ligjin që vijon, dhe është gati te asistoje me tej këtë pune. Më mirë se kaq nuk ka. Kur shkruaja Dekriminalizimin, nuk e pata këtë luks, ecja me kujdes dhe ja ku jemi sot. Edhe atëherë kështu ulërinte Rama. Po cenohen të drejtat (e Elvis Rroshit)…”, – tha Bylykbashi për ATSH. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.