Mesi: Studentët e Shkodrës, kërkesa të ndryshme nga 8 pikat

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Ka grupe të caktuara që duan të politizojnë protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre legjitime”, deklaroi sot zv.kryeministrja Senida Mesi, gjatë një takimi me studentë e pedagogë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku u njoh me kërkesat e tyre.

Në një lidhje direkte në një televizion lokal në Shkodër, Mesi foli për protestën e studentëve dhe rëndësinë e dialogut.

Nga ajo çfarë rezultoi nga ky takim, Mesi theksoi se asnjë nga kërkesat e tyre nuk kishte të bënte me pikat që kanë parashtruar studentët që po protestojnë në Tiranë.

“Studentët e Shkodrës kërkojnë pagesat e ekspeditave, që aktualisht ndodhin, por do të paguhen më rregullisht. Po ashtu kërkojnë shtesën dhe rikonstruksionin e një godine për mësimdhënien, që është në fazë rikonstruksioni dhe uljen e mesatares nga 9 në 7 për studentët që japin provim apo temë diplome në përfundim të bachelor”, tha Mesi.

Por, zv.kryeministrja u shpreh se “nuk mendon se këto janë në fakt kërkesat e studentëve”.

“Studentët nuk kërkuan cilësinë e mësimdhënies, apo transparencën e buxhetit. Ata nuk kanë kërkuar uljen e tarifave, pasi tarifat e studentëve të Shkodrës janë nga më të ulëtat. Megjithatë ne duhet të diskutojmë mbi mënyrën e reduktimit ose zerimit të tarifave për shtresat në nevojë”, – tha Mesi.

Mesi u shpreh po ashtu, se qeveria është e vetëdijshme për mungesat që mund të ketë, sikurse është situata me konviktet. Në Shkodër, tha ajo, studiojnë rreth 6 mijë studentë, prej të cilëve 800 apo 900 studentë kanë nevojë për struktura akomodimi dhe vetëm 120 janë të akomoduar në konvikte.

Mesi theksoi se protesta e studentëve tregoi se sa të thella janë problemet në arsimin e lartë, por theksoi se i konsideron bulizëm thirrjet që studentët të bojkotojnë mësimin. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.