KFOR-i gjerman i dhuron Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milionë euro

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ – Pas shndërrimit të kampit të KFOR-it gjerman në Prizren në Parkun Kosovar-Gjerman Inovativ dhe Trajnues, KFOR-i Gjerman përmes Ministrisë së Financave i dhuron Kosovës pajisje në vlerë prej 1.8 milionë euro.

Siç njofton MF përmes një njoftimi për media, gjatë një vizite në Ministrinë e Financave, përfaqësuesit e KFOR-it gjerman në Kosovë theksuan përkushtimin e tyre për mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes projekteve të ngjashme siç është projekti i Parkut Inovativ dhe Trajnues. Për më tepër, ata falënderuan Ministrinë e Financave për përkushtimin në realizimin me sukses të projekteve me mbështetje të Qeverisë Gjermane.

Në anën tjetër Ministri Hamza, theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë gjermane është dëshmi e një bashkëpunimi me sukses në fusha të ndryshme me partner serioz siç është Qeveria gjermane. Jetësimi i projektit të Parkut Inovativ dhe Trajnues është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit, përmes të cilit pritet të realizohen projekte tejet me rëndësi.

Vlen të theksohet se nga ky park në të ardhmen pritet të përfitojnë edhe vendet e rajonit. Dhurimi i pajisjeve nga KFOR-i gjerman mundëson që Parku Inovativ dhe Trajnues të fillojë funksionin e tij shumë shpejtë.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria gjermane patën iniciuar diskutimet mbi të ardhmen e Kampit Fushor të KFOR-it gjerman në Prizren, pas largimit të trupave ushtarake nga kampi. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.