Kërkimi shkencor, Shqipëria vendi i fundit në rajon në përthithjen e fondeve nga BE

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria është vendi i fundit në rajon në përthithjen e fondeve nga Bashkimi Europian, sa i takon kërkimit shkencor.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një takim me studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ndërsa theksoi se këtë nuk e bën qeveria, por universitetet dhe Akademia e Shkencave”. Janë këto të fundit, tha Rama, që mund të përgatisin projektet dhe të thithin fonde nga Bashkimi Europian.

Rama u ndal te mënyra se si e bëjnë vendet e rajonit kërkimin shkencor.

Serbia, tha ai, “është vendi numër 1 në rajon për fonde për kërkimin shkencor që universitetet kanë fituar nga Bashkimi Europian, ndërsa Shqipëria është e fundit në rajon”.

Ndërkohë, Kryeministri deklaroi se “kjo qeveri ka rritur buxhetin për arsimin e lartë nga 50 milionë në 81 milionë lekë.

“Kjo është shumë, por nuk është mjaftueshëm. Por sot kemi një problem me mënyrën se sa i përdorim ne me efikasitet paratë që kemi, sepse nëse kemi një sistem që paratë i shpërdoron dhe nuk zgjidh gjë, duke futur ne më shumë para, ato vetëm sa do të  shpërdorohen më shumë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se, sipas ligjit, “çdo universitet duhet të mos kalojë 33% të pagave për punonjës që nuk janë staf pedagogjik”.

Ndërkohë, Rama tha se “sot paguhen në universitetin shqiptar mbi 1 mijë rroga përtej limitit që vë ligji”.

“Nëse këto para nuk i japim për këtë punë, pro i fusim te kërkimi shkencor ndryshojmë diçka”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.