Delegacioni i BE-së: Dialog që kërkesat e studentëve të përkthehen në zgjidhje konkrete

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, u bën thirrje studentëve dhe qeverisë të dialogojnë, që kërkesat e studentëve-protestues të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike.

Në njoftimin për mediet të Delegacionit, theksohet se tashmë ka ardhur koha e dialogut.

“Tani është koha për të ndërtuar një dialog që siguron që këto kërkesa të përkthehen në zgjidhje konkrete dhe praktike”, thotë Delegacioni i BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Europian, mbështet kërkesat e studentëve, dhe nënvizon se kauza e tyre shpreh vlera të një demokracie të shëndetshme.

“Protestat paqësore të studentëve në Shqipëri janë një shprehje e shëndetshme e demokracisë”, thotë Delegacioni.

Deklarata e Delegacionit, thekson gjithashtu se kauza e studentëve tashmë ka marrë edhe  një konsensus të gjerë në shoqërinë shqiptare.

“Ekziston një konsensus i gjerë publik në shoqërinë shqiptare lidhur me kërkesat e tyre. Studentët bëjnë thirrje për standarde më të mira arsimore. E drejta për arsim është qendrore në çdo shoqëri. Ashtu siç është lufta kundër korrupsionit”, përfundon deklarata e Delegacionit të BE-së. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.