BERZH mbështet investimet e gjelbra në Shqipëri

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet investimet e gjelbra në Shqipëri, që çojnë në rritjen e eficiencës dhe kursimin e energjisë elektrike.

Në një njoftim për shtyp, BERZH bën të ditur se, në kuadër të financimit të ekonomisë së Ballkanit Perëndimor, përmes një huaje prej 3 milionë euro do të mbështesë investimet në teknologjitë, materialet dhe masat e efikasitetit të energjisë në banesat rezidenciale ose ndërtesat private.

Investimet pritet të çojnë në kursim të energjisë prej më shumë se 68000 MWh në vit dhe reduktimin e emetimeve vjetore të gazrave serrë me më shumë se 21250 tonë CO2.

Kjo pjesë e financimit të ri për Shqipërinë, është siguruar në kuadrin e fondit prej 85 milionë euro për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër.

Programi është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian (BE), donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese që bashkëpunojnë në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe zbatohet në partneritet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

BERZH ka investuar 1.2 miliardë euro në 84 projekte në Shqipëri, ku fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, duke rritur diversifikimin e projekteve të infrastrukturës dhe duke promovuar energji të qëndrueshme dhe investime të qëndrueshme mjedisore.

BERZH është një bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe iniciativën sipërmarrëse në 38 ekonomi në tre kontinente. Banka është në pronësi të 67 shteteve, si dhe BE dhe BEI. Investimet e BERZH-it synojnë t’i bëjnë ekonomitë në rajonet e tyre konkurruese, përfshirëse, të qeverisura mirë, të gjelbra dhe të integruara, citon njoftimi i BERZH-it. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.