Sllovenia asistencë Shqipërisë për një turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – Sllovenia është e gatshme t’i ofrojë Shqipërisë asistencën e saj me ekspertizë, dije e praktikat më të mira për një turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor.

Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi është pritur në takim nga Eva Štravs Podlogar, sekretare shteti në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë të Sllovenisë.

Bashkëbiseduesit, pasi shkëmbyen mendime dhe vlerësuan hapat e hedhur së fundi për bashkëpunimit ekonomik dypalësh, ndanë të njëjtin qëndrim se duhet shfrytëzuar momenti për intensifikim të mëtejshëm të kontakteve, shkëmbimeve dhe projekteve konkrete.

Fushë e veçantë e diskutuar ishte ajo e turizmit. Në pjesën e parë të vitit 2019 parashikohen projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, përfshi edhe vizita e pjesëmarrje në panaire.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.