Modeli i Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësohet në Sarajevë

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – Modeli i Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë është diskutuar në një konferencë në Sarajevë.

Transparency International dhe prezenca e OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë organizuan në Sarajevë një konferencë ku u prezantuan problematikat e identifikuara në drejtim të hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e korrupsionit për vitin 2017 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.

Edhe pse ka pasur një rritje të dënueshmërisë së këtyre veprave penale në shtetin e Bosnje-Hercegovinës, në 80% të rasteve, personat e akuzuar janë dënuar me lirime me kusht ndërkohë që në rast se izolohen vetëm rastet e hetuara dhe të gjykuara për zyrtarët e nivelit të lartë, në shumicën dërrmuese të tyre është vendosur lirimi i të pandehurve për shkak se kanë rezultuar të pafajshëm, ose akuzat penale në drejtim të tyre kanë rënë pjesërisht. Këto problematika janë evidentuar edhe në të kaluarën në vendin tonë, në studime të ngjashme që ka realizuar Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Gjatë këtij aktiviteti, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i përfaqësuar nga Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive ndau me kolegët e shoqërisë civile në Bosnje-Hercegovinë dhe të pranishmit në sallë (gjyqtarë edhe prokurorë) modelin e Vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri.

Konkretisht, u evidentua mënyra se si ishte hartuar legjislacioni i Vetingut, kontributi i asistencës ndërkombëtare dhe konsultimi me Komisionin e Venecias, sfidat dhe vështirësitë që kishte pasur ky proces në drejtim të zbatimit të tij, rezultatet e deritanishme të tij dhe problematikat e evidentuara në drejtim të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë (për shkak të shkarkimeve të anëtarëve të këtyre institucioneve të drejtësisë).

Kolegët e Bosnje-Hercegovinës vlerësuan modelin e Vetingut por njëkohësisht evidentuan si vështirësi për realizimin e këtij procesi në vendin e tyre, polarizimin e lartë politik dhe mungesën e dialogut dhe konsensusit politik për të mundësuar ndryshime kushtetuese me shumicë të cilësuar. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.