Komisioni për Çështjet Ligjore, seancë dëgjimore me kandidaturat për Komisioner të Avokatit të Popullit

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nën drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, zhvilloi sot seancën dëgjimore me kandidaturat për vendet vakante në Seksionin e Përgjithshëm, Seksionin për Policinë, Shërbimin Sekret, Burgjet, Forcat e Armatosura dhe Pushtetin Gjyqësor, Seksionin për Organet e Administratës Qendrore, të Pushtetit Vendor dhe të tretëve që veprojnë për llogari të tyre.

Kandidaturat që morën pjesë në dëgjesë ishin për pozicionin Komisioner për Seksionin e Përgjithshëm: Vilma Shurdha; Andi Nano; Ermonela Ruspi; Aljona Mansaku (nuk u paraqit).

Për pozicionin Komisioner në Seksionin për Policinë, Shërbimin Sekret, Burgjet, Forcat e Armatosura dhe Pushtetin Gjyqësor: Arjan Hoxha, Ermonela Ruspi, Ilir Kadiu, Artan Ballabani.

Për pozicionin Komisioner në Seksionin për Organet e Administratës Qendrore, të Pushtetit Vendor dhe të tretëve që veprojnë për llogari të tyre: Edlira Cimbi, Andi Nano, Vilma Shurdha, Erjona Canaj.

Komisioni zhvilloi vetëm seancën dëgjimore, ndërsa vlerësimi i përmbajtjes së kritereve ligjore dhe performancës u vendos të kryhej në një tjetër seancë.

Më herët, komisioni pati miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, në të cilin relator për komisionin ishte deputeti Spartak Braho, ndërsa i pranishëm për prezantimin e nismës ishte zëvendësministri i Mbrojtjes,  Petro Koçi.

Komisioni nisi sot pjesërisht shqyrtimin nen për nen të projektligjit ““Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar”, shqyrtimi i mëtejshëm i të cilit do të vijojë në mbledhjet pasuese. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.