FOTO/ “Oskari dhe tezja Rozë” rikthehet për publikun në këtë prag festash

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ – “Oskari dhe tezja Rozë” vepra e jashtëzakonshme nga Eric-Emmanuel Schmitt rikthehet për publikun në këtë prag festash në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”.

Një shfaqje ku emocioni te pushton nga fillimi deri në fund te saj. Me aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti dhe Franc H.Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovshti.

Vepra tregon historinë e Oskarit, një djalë i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan nga leuçemia.

As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen, por është tezja Rozë, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejtë.

Për ta argëtuar pak Oskarin, ajo i propozon një lojë: Të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vite.

Anagnosti e quan të rëndësishme që këtë vepër ta ndjekin dhe përjetojnë spektatorët, sepse mesazhi i saj është domethënës.

Kjo shfaqje me mesazhe të forta për jetën vjen për publikun në datat 22 dhe 23 dhjetor ora 19:00, në sallën Molieri të Teatrit Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.