Formimi profesional i të rinjve, prioritet i qeverisë

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH-M.Zonja/ – Edhe pse shumë kompani të huaja vijnë për të investuar në vendin tonë, një prej problemeve që ata hasin më shpesh është fuqia punëtore jo e kualifikuar dhe për këtë qeveria shqiptare një rëndësi të madhe i ka dhënë formimit profesional të të rinjve.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato gjatë një interviste televizive bëri me dije se për formimin profesional të të rinjve, bashkëpunimi mes universitetit, biznesit dhe qeverisë do të orientojë kurrikulat universitare drejt formimit profesional të këtyre studentëve, me qëllim që tregu i punës të ketë oferta të drejtpërdrejta për ta.

“Është e rëndësishme që të theksoj faktin se nga kontakti i drejtpërdrejtë me sipërmarrësit, sidomos me ata të industrisë së prodhimit dhe të përpunimit në vend, nevojat për forcë, për burime njerëzore të kualifikuara janë të jashtëzakonshme, mos të them se janë emergjente. Sot çdo sipërmarrës i cili punon në industrinë e prodhimit dhe përpunimit kërkon të rinj, studentë të dalë nga shkolla të kualifikuar sipas sektorëve të specializuar për të cilën sipërmarrja ka nevojë. Një bashkëpunim shumë i mirë me universitetet i sektorit të biznesit dhe i qeverisë do t’i orientojë kurrikulat universitare drejt formimit profesional të këtyre studentëve, që tregu i punës të ketë ofertë të drejtpërdrejtë për ta. Tregu i punës kërkon studentë të dalë nga bankat e shkollës të kualifikuar për t’u punësuar në këto sektorë”, – përfundoi ajo. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.