Divjakë/ Fëmijët romë pasqyrojnë traditën e tyre përmes një ekspozite

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryetari i bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi ka mbështetur dhe stimuluar gjithmonë bashkëjetesën multifetare dhe multikulturore ndërmjet komuniteteve të ndryshme që bëjnë pjesë tashmë në këtë bashki. Ditën e sotme në ambientet e Qendrës së Kulturës, Unioni për Integrim dhe Zhvillim i Minoritetit Rom në Shqipëri “AMARO-DROM” në kuadër të projektit “Përmirësimi i jetesës së Komunitetit Rom në Shqipëri”, financuar nga donatori suedez “We effect”, paraqitën një ekspozitë të rrethit studimor të fëmijëve të Shkollës së Mesme të Bashkuar Grabjan.

Fëmijë të talentuar të këtij komuniteti me fantazinë dhe krijimtarinë e tyre, pasqyruan elementë të kulturës dhe traditës rome. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin kreu i kësaj bashkie, Fredi Kokoneshi dhe përfaqësues të tjerë të bashkisë dhe njësive administrative. Drejtori ekzekutiv i projektit, Skënder Veliu, koordinatorja e projektit, Anjeza Kolami së bashku me nxënës dhe përfaqësues të këtij komuniteti, shoqëruan të pranishmit gjatë vizitës së kësaj ekspozite. Gjatë bisedimeve me kryetarin e bashkisë Kokoneshi, ata u siguruan për mbështetjen e këtij institucioni në organizimin e veprimtarive të tilla, por edhe në stimulimin e këtyre talenteve, të cilët me punimet e tyre fituan admirimin e të gjithë vizitorëve. /m.z//e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.