KANADA – Zbulohet diamanti më i madh i Amerikës së Veriut

TORONTO, 16 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zbulohet diamanti më i madh ndonjëherë në Amerikën e Veriut në një minierë në Kanada pranë Rrethit Arktik, sipas medias.

Ky diamant i verdhë 522 karatë u zbulua në minierën “Diavik Diamond”, që ndodhet në veri të Kanadasë rreth 217 kilometra në jug të Rrethit Arktik, njoftoi gazeta “Toronto Star”, duke cituar burime nga kompania që shfrytëzon këtë minierë, “Dominion Diamond Mines”

“Një diamant i kësaj madhësie është krejtësisht i papritur në këtë pjesë të botës dhe shënon një moment historik për minierat e diamanteve në Amerikën e Veriut”, tha kompania për “mining.com”.

Ky gur i çmuar mendohet të jetë një prej 30 më të mëdhenjtë të zbuluar ndonjëherë.

Kompania tha se xhevahiri në formë veze nuk do të shitet në formën e tij bruto, përkundrazi “Dominion” do të kërkojë partnerë për të pastruar dhe prerë gurin.

Afrika e Jugut mban titullin për diamantin më të madh të zbuluar ndonjëherë, diamanti Cullinan që është 3 106 karatë, i zbuluar në 1905. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.