Thaçi: Ditën e parë të ushtrisë duhet t’i nderojmë luftëtarët e lirisë

PRISHTINE, 15 dhjetor /ATSH/ -Një ditë pasi Forcës së Sigurisë iu janë dhënë kompetencat e ushtrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë.

Thaçi tha se dita e parë e funksionimit të ushtrisë duhet të nisë duke i nderuar ata që dhanë jetën për liri.

“Puna më e mbarë sot në këtë ditë të parë është nderimi dhe respekti i bashkëluftëtarëve, i luftëtarëve të lirisë, komandantit prej të parëve të UÇK-së, Zahir Pajazitit. Jam këtu së bashku me bashkëluftëtarin dhe komandantin Rrustem Mustafa-Remi, deputetin, për të nderuar dhe respektuar dhe për të dëshmuar edhe njëherë përkushtimin tonë se lufta dhe përpjekjet e dëshmorëve të lirisë, amaneti i tyre për objektivin e lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe ushtrisë, po jetësohet”, tha Thaçi.

Pas shtatores së Zahir Pajazitit, Thaçi bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe veprimtarit kombëtar Adem Demaçi, në varrezat në Velani. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.