Parku i liqenit të Farkës, kujdes për pastrimin dhe mbjelljen e pemëve

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/- Parku i liqenit të Farkës, shumë pranë kryeqytetit, është kthyer në një nga hapësirat më tërheqëse për të kaluar fundjavën jo vetëm për ata që duan të shijojnë natyrën, por edhe për të apasionuarit pas sporteve ujore.

Punonjësit e mirëmbajtjes së Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit kujdesen sistematikisht për pastrimin e ambienteve të këtij parku.

Ditët e fundit Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit po vijon aksionin për pastrimin e ferrave dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme te Parku i Liqenit të Farkës për t’i lënë vendin sezonit të ri të mbjelljeve të pemëve.

Objektivi i bashkisë së Tiranës për këtë vit është jo vetëm të thyejë rekordin e vendosur sezonin e shkuar të mbjelljeve, por të arrijë të mbjellë 150 mijë pemë.

Liqeni i Farkës ndodhet 9.6 km nga qendra e Tiranës dhe vetëm 2.3 km nga rruga nacionale, gjë e cila e bën këtë park lehtësisht të arritshëm për vizitorët.

Kjo zonë dallohet për biodiversitetin dhe peizazhin tërheqës kodrinor, si dhe për trashëgiminë natyrore.

Pjesë e kësaj trashëgimie janë objekte, peizazhe, ekosisteme, habitate të veçanta, të rralla dhe unikale, relike, lloje endemike apo në rrezik për t’u zhdukur.

Bashkia e Tiranës ka rritur vëmendjen e saj për zonat rurale të ish-komunave duke i shtrirë investimet në të gjithë sektorët si: infrastrukturë, gjelbërim etj./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.