Propozimet për veting në politikë, Venecia jo PD-së: Çojnë në shpërdorim të pushtetit

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ – Propozimi kushtetues për vetingun e politikanëve, propozuar nga PD dhe dërguar për opinion në Komisionin e Venecias nga Kuvendi, nuk siguron udhëzime dhe masa mbrojtëse dhe mund të çojë në shpërdorim të pushtetit.

Komisioni i Venecias në një njoftim për shtyp të shpërndarë sot thekson se në një opinion të miratuar sot, Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit (“Komisioni i Venecias”) konstaton se projektligjet kushtetuese që mundësojnë verifikimin e politikanëve në Shqipëri, duke përfshirë vlerësimin e marrëdhënieve të tyre me krimin e organizuar, nuk ofrojnë udhëzime dhe masa mbrojtëse të përshtatshme për një proces të tillë të ndjeshëm dhe mund të çojnë lehtësisht në shpërdorim të pushtetit.

Duke pranuar synimin legjitim për të larguar zyrtarët me rekorde kriminale dhe ndikimin e tyre nga qeverisja dhe jeta politike, Komisioni i Venecias shpreh shqetësimin se mungesa e qartësisë ligjore dhe sigurisë lidhur me fushëveprimin dhe zbatimin e procedurës së propozuar të verifikimit mund të çojë në implikime të rënda për të drejtat e këtyre subjekteve.

Opinioni vë në dukje se nuk është e qartë se kush do të jetë përgjegjës për verifikimin dhe nëse kjo do të bëhet nga një organ gjyqësor ose i pavarur. Nuk ka qartësi ligjore nëse skualifikimi duhet të jetë i përhershëm ose i përkohshëm dhe nuk ka garanci për të siguruar që procesi të mos përdoret në mënyrë të njëanshme politike ose arbitrare. Sipas ekspertëve kushtetues të Këshillit të Europës, propozimi në shumë mënyra gjithashtu ngre çështje të proporcionalitetit.

Projektligji gjithashtu nuk arrin të përcaktojë disa elementë kryesorë si: çfarë nënkuptohet me kontakt me persona të caktuar; çka nënkuptohet duke u përfshirë në krimin e organizuar; dhe çfarë nënkuptohet duke u përfshirë në rrethin e subjekteve që kanë kontakte me personat.

Lidhur me zyrtarët e zgjedhur, Komisioni i Venecias e konsideron propozimin në kundërshtim me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, sepse shqyrtimi bazuar në faktin nëse dikush ka kontakte me personat e përfshirë në krimin e organizuar mund të përdoret lehtësisht për kufizimin e së drejtës për zgjedhje të lira, pavarësisht nga natyra e kontakteve.
Pasi verifikimi ka për qëllim të zbatohet edhe për zyrtarët e pazgjedhur, opinioni thekson se paqartësitë rreth fushëveprimit dhe zbatimit të saj e bëjnë të vështirë garantimin e të drejtave sipas nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin në lidhje me mekanizmat e tjerë demokratike në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e shtuar ligjore e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme.

Ndërsa është e gatshme të sigurojë ndihmë të mëtejshme, Komisioni i Venecias thotë se hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentet e propozuara kushtetuese duhet të merren në Parlament, nëpërmjet dialogut ndërmjet të gjitha forcave politike dhe shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.