Pas hapjes së tre tuneleve në Rrugën e Arbrit, nis puna edhe për Urën e Vashës

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/- Pas hapjes së tre tuneleve në Rrugën e Arbrit, puna po vijon intensivisht edhe në Urën e Vashës.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga kantieri i ndërtimit në Rrugën e Arbrit.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga kantieri i rrugës së Arbrit ku pas hapjes së tre tuneleve po punohet intensivisht edhe për Urën e Vashës, ju uroj një ditë të mbarë“, shkruan Rama.

Rruga e Arbrit do të ketë gjithsej 6 ura, por ajo më e madhja e më e rëndësishmja është Ura e Vashës e cila kalon mbi lumin Mat dhe ka një gjatësi 398 metra.

Segmenti nga Zall-Bastari tek Ura e Vashës kalon në një territor të vështirë nga ana topografike. Në këtë segment parashikohen të ndërtohen edhe veprat më të mëdha të artit.

Rruga e Arbrit lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banoreve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Aksi do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.