Rikthimi i Buxhetit nga Presidenti, Braçe: Qëllime të pastra partiake

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/- Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi kryetar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, Erjon Braçe u shpreh sot se rikthimi për rishqyrimin i ligjit për buxhetit 2019, nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, pas protestës dhe kërkesave të studentëve për arsimin e lartë, reflekton qëllime të pastra partiake duke e lidhur këtë me LSI-në.

Braçe tha se, ligji u dërgua vetëm dje në Presidencë, ndërkohë që Meta ndodhet jashtë vendit dhe sot u shpreh duke e rikthyer.

“Kam një pyetje, pasi Presidenti nuk është në Shqipëri, si e ka shqyrtuar? Kjo një pyetje akoma më e madhe se firma. Ligji është dorëzuar dje, ai nuk ka qenë në zyrë. Si e mori informimin për buxhetin e Arsimit të Lartë? Nuk ka. Vendimi reflekton qëllime të pastra partiake. Nuk e kam hallin fare te firma apo dekretimi në mungesë. E kam hallin në mungesë totale të shqyrtimit, nëse gjërat dekretohen pa u shqyrtuar, kjo është fatkeqësi e madhe për këtë vend. Nëse Presidenti do të kishte njohur me detaje buxhetin nuk do ta kishte kthyer, sikur pretendon LSI, ish-partia e Presidentit. Edhe prej andej më vjen mosnjohja e akteve të buxhetit”, – tha ai.

Protesta e studentëve/ Braçe: Problemi i tarifave është i zgjidhur

Braçe në kënd vështrimin e ekonomistit, shprehet se prej disa ditësh një grup i ngritur në Kryeministri po punon për kërkesat e studentëve.

Për çështjen e tarifave, Braçe tha se nuk ishte e nevojshme që të rikthehej buxheti për shqyrtim nga Meta, pasi është e financuar nga burimet e buxhetit të shtetit.

“Kërkesat e paraqitura nga studentët janë shqyrtuar dhe janë pranuar. Por është një pakicë që kontrollohet nga forumet partiake për këtë çështje. Kryeministri ka udhëhequr një grup pune që i ka shqyrtuar. Është ndërtuar një paketë e plotë në përgjigje të kërkesave dhe është e financuar plotësisht. Kërkesa për dyfishimin e buxhetit për arsimin ka dalë në ditën e shtatë. Çështja e tarifave është e financuar nga burimet e buxhetit të shtetit”, – deklaroi ai.

“Nuk mund të dalë VKM-ja, pasi është çështje në diskutim. Çështja e tarifave është e zgjidhur plotësisht nuk ka nevojë për aktin që ka bërë Presidenti, ka nevojë vetëm për dialog për skemën. Kam gjashtë ditë që diskutoj për këtë çështje. Pika e buxhetit nuk ka qenë as në ditën e parë, as të dytë, por ka dalë në ditën e shtatë. Për këtë pikë nuk ka dakordësi fare, e ka thënë edhe Rama që pardje. Që të bëhet 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në dollarë është 725 milionë, por ne duam lekë edhe për bujqësinë. Buxheti duhet të ketë ekuilibër, për të mos nënfinancuar sektorë jetikë”, – tha Braçe.  /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.