Opozita nuk ka kurajon t’i thotë popullit: Jam me studentët

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/- “Opozita nuk ka kurajon t’i thotë popullit unë jam me studentët, sepse e hanë mbrapsht flakërimin, ashtu sikundër nuk do ta dëshironte askush në politikë”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi më tej se “pikat ne jemi gati t’i plotësojmë një për një, një për një, por ata që erdhën këtu si përfaqësues të opozitës së maskuar, të opozitës të hedhur në ilegalitet, të opozitës që nuk ka mundësinë të mbështesë një protestë studentore, sepse në momentin që e mbështet e njollos, përfytyroje çfarë opozitë është, një opozitë që vrapoi për t’u futur mes jelekëve portokalli tek Astiri”.

“E pra pyetja këtu është çfarë fshihet mbas bllokimit të dialogut. Kjo është e padëgjuar çfarë fshihet pas gjithë asaj propagande të shfrenuar që investohet, nga ndërmarrja e doktoreshës edhe nga SHQUP-i këtu dhe nga profesor Qorri, që thonë në asnjë mënyrë dialog, në asnjë mënyrë dialog. Fshihet nga njëra anë qëllimi që këto kërkesa të mos zgjidhen, që studentët të acarohen në mënyrë sa më artificiale dhe të futen në qorrsokakun që i do kjo opozitë, që ka qysh kur ka humbur zgjedhjet që premton revolucion që kërcënon me destabilizim që kërcënon për kaos, që kërcënon për djegie. Kjo opozitë që shpërndante mesazhet që të martën pas pushimeve do ikë qeveria, ose do të digjet Tirana”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo është e padëgjuar dhe kjo është edhe arsyeja se pse unë refuzoj që këto tetë pika t’i plotësoj sikur janë një porosi për një dyqan”.

“Është shumë e thjeshtë dhe dua t’ua them të gjithëve, është shumë e thjeshtë për mua, për ne që ta trajtojmë këtë protestë si një çështje procedure dhe si një çështje ofertë kërkese, apo si çështje porosish në derën e një dyqani, por këtu nuk bëhet fjalë për kilogram mish, për 4 patate, apo arka me mollë këtu bëhet fjalë për të hapur një proces që fillon nga këto pika”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “nuk dua që protesta të mbyllet, sepse kjo protestë afishon tetë pika dhe i ka rrënjët shumë të thella, i ka rrënjët thellë tek burimet e sëmundjes së universitetit, tek ajo sëmundje të cilën autonomia e shumëkërkuar dhe e dhënë për herë të parë nga shumica socialiste e ka mbuluar dhe nuk ka lejuar kurimin”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.